Site icon Telegrafi

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim nuk hezitoi për të kritikuar një lojtar të Manchester United pas ndeshjes së tij të parë në krye të klubit.

Karriera menaxheriale e 39-vjeçarit në Ligën Premier nisi me një barazim 1-1 ndaj ekipit të sapopromovuar në elitë Ipswich Town.

Marcus Rashford realizoi për t’i dhënë epërsinë mysafirëve, para se Omari Hutchinson të shënonte për të barazuar rezultatin në 1-1.

United shfaqi disa shenja pozitive nën urdhrat e trajnerit të ri, por që u bë e qartë se ata kanë nevojë ende për përmirësim.

Pas përfundimit të ndeshjes, Amorim dha një intervistë të shkurtër për Sky Sports dhe përmendi veteranin Jonny Evans si dikush që duhej të bënte më mirë në aspektin e presionit ndaj yllit të vendasve Hutchinson, i cili shpeshherë u gjend i lirë brenda zonës së rrezikshme.

“Nëse e shihni pjesën e parë, numri pesë (Morsy) ishte gjithmonë i vetëm, ne duhet ta ruajmë atë”.

Lexo po ashtu Trajneri i ri, zakoni i vjetër – Man United nuk merr më shumë se një barazim ndaj Ipswich Town

“Pastaj numri 20, Hutchinson, ishte gjithmonë aty brenda zonës së rrezikshme. Jonny Evans duhet të ushtrojë presion tek ai djalosh, por kur ne nuk stërvitemi, është e vështirë ta di reagimin e lojtarëve”, ka thënë Amorim.

“Ne kishim vetëm dy ditë, ata janë të ngatërruar paksa, por duhet të vrapojnë, ju mbroheni, por nuk vraponi”.

“Fillimisht ne duhet ta kuptojmë lojën dhe pastaj të jemi më të mirë në aspektin fizik për ta përballuar presionin e lartë, intensitetin e shpejtë të ndeshjes. Na duhet kohë për të punuar”, përfundoi ai./Telegrafi/

Exit mobile version