Trajneri i ri i Manchester United, Ruben Amorim, tashmë ka vendosur që ta shesë një lojtar pas vetëm dy ndeshjeve në krye të klubit sipas një raportimi të fundit.
Amorim ka qenë në stolin e Unitedit në barazimin 1-1 ndaj Ipswich Town në Ligën Premier dhe në fitoren ndaj Bodo/Glimt të enjten në Ligën e Evropës.
Teksa është parë qartësisht nevoja për përmirësim në disa fusha, tekniku portugez përgëzoi etikën e punës së skuadrës së tij, duke thënë se po punojnë shumë për të implementuar idetë e tij.
Emra si Amad Diallo, Noussair Mazraoui dhe Rasmus Hojlund kanë dhuruar paraqitje fantastike që prej ardhjes së Amorim, ani pse 39-vjeçari duhet të bëjë shumë punë për të arritur diçka në fund të sezonit.
The Athletic kishte raportuar në tetor se United është shumë afër limitit të ‘fair-play’ financiar pas shkarkimit të Erik Ten Hag dhe emërimit të Amorim.
Kjo do të thotë se trajneri i ri duhet të rrisë fondet duke shitur lojtarë dhe tashmë është raportuar se ai ka marrë vendimin për të ardhmen e njërit prej lojtarëve të tij.
Sipas Sky Sports Germany, United nuk do t’i ofrojë kontratë të re mesfushorit Christian Eriksen teksa ajo aktualja i skadon në fund të kësaj vere.
Është bërë me dije se klubi do të tentojë të gjejë ndonjë mënyrë për ta shitur atë gjatë afatit të janarit për të marrë një shumë të vogël parash.
Për shërbimet e Eriksen besohet se interesim ka shprehur gjiganti skocez Celtic dhe një marrëveshje mund të arrihet së shpejti./Telegrafi/