Ruben Amorim ka vendosur që t’i ofrojë rinovimin e kontratës njërit prej lojtarëve të Manchester United dhe kjo thuhet se është shndërruar në një prej prioriteteve të tij.
39-vjeçari mori fitoren e parë në kampionat të dielën, aty ku ‘Djajtë e Kuq’ triumfuan me rezultat të thellë 4-0 ndaj Evertonit në ‘Old Trafford’.
Marcus Rashford dhe Joshua Zirkzee shënuan nga dy gola, por është një lojtar tjetër i cili e ka impresionuar teknikun portugez.
Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Amad Diallo i cili pati një paraqitje elektrizuese ndaj Evertonit, duke dhuruar dy asistime.
Amorim i dha mundësinë Diallos që të luajë nga minuta e parë në ndeshjet ndaj Ipswich Town dhe Everton, teksa e futi në lojë ndaj Bodo/Glimt në Ligën e Evropës nga banka rezervë.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë iu bashkua Unitedit në janar të vitit 2021 por luajti si huazim tek Rangers dhe Sunderland, para se të rikthehej tek klubi anglez si pjesëtar i ekipit të parë.
Kontrata e tij pritet të skadojë në fund të sezonit 2024/2025, dhe sipas The Athletic, klubi e ka opsionin që t’ia rinovojë edhe për një sezon tjetër.
Raporti tutje shton se burime brenda klubit kanë thënë se kontrata e Amad është në agjendë për javët në vazhdim./Telegrafi/