Telegrafi

Rrugëtimi fantastik i Man Cityt deri në finale të Ligës së Kampionëve ‘Citizens’ ende nuk e dinë se çfarë është humbja

Manchester City ka arritur për herë të parë në histori të klubit në finalen e Ligës së Kampionëve.

Ka qenë një edicion fantastik në Ligën e Kampionëve për skuadrën e Pep Guardiolës.

Kampionët e ri të Anglisë nuk e dinë se çfarë është humbja këtë vit në këtë garë, teksa kanë marrë thuajse të gjitha fitore.

City e nisi këtë edicion në ‘Champions’ në Grupin C, ku ishte së bashku me Porton, Olympique Marseille dhe kampionët grek të Olympiacos.

Nga ky grup City kaloi lehtë pasi mori pesë fitore dhe një barazim, duke grumbulluar 16 pikë.

Në 1/8 e finales, City u përballë me Borussia Moenchegladbach, ku mori dy fitore nga dy ndeshje me rezultat 0-4.

Edhe në çerekfinale, skuadra e Pep Guardiolës luajti me një ekip gjerman, ku përsëri mori dy fitore.

City e kaluan Dortmundin me rezultat të përgjithshëm 4-2 pas dy fitoreve identike 2-1 dhe 1-2.

Në gjysmëfinale, skuadra e Pep Guardiolas kishte punë më të vështirë, pasi luajti me finalistin e vitit të kaluar Paris Saint Germain.

‘Citizens’ arritën të fitonin 1-2 në Paris, derisa në ndeshjen kthyese shkëlqyen duke mposhtur 2-0 parisienët.

Për Cityn kjo është hera e parë që arrijnë një finale të Ligës së Kampionëve dhe synojnë që ta shkruajnë historinë duke e fituar trofeun përballë Chelseat. /Telegrafi/