Site icon Telegrafi

Rruga kryesore “Ahmet Kaçiku” në Kaçanik bëhet me shteg të çiklizmit dhe infrastrukturë përcjellëse

Komuna e Kaçanikut në vazhdën e realizimit të projekteve kapitale ka investuar edhe në ndërtimin e infrastrukturës rrugore në aksin “Ahmet Kaçiku”. Punimet kanë vazhduar në ndërtimin e trotuarit- shtegut për çiklizëm, kanalizimit atmosferik dhe ndriçimit publik.

Kryetari i kësaj komune Besim Ilazi, ka thënë se viti 2024 ishte i suksesshëm në realizim të punimeve në projekte kapitale, por edhe në fusha të tjera. Sipas tij, edhe projekti i fundit ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës për qytetarët e kësaj komune.

“Ndonëse në menaxhim të Ministrisë së Infrastrukturës, Komuna e Kaçanikut po vazhdon me realizimin e projektit në ndërtimin e trotuarit- kanalizimit atmosferik dhe ndriçimit publik përgjatë rrugës ,, Ahmet Kaçiku “përkatësisht nga ,,Fusha e Pajtimit” deri te Restorant “Natyra”, projekt ky i kërkuar edhe nga ana e qytetarëve të kësaj ane, sidomos gjatë dëgjimeve e konsultimeve publike. Projekti është planifikuar të realizohet në dy faza, ndërsa për këtë fazë shuma e investimit është afër 260 mijë euro”.

Ndërkaq, sipas menaxherit të projektit Arian Teneqja, në këtë fazë do të punohen rreth 1650m gjatësi të trotuarit së bashku me shtegun për çiklizëm, trajtimin e ujërave atmosferike dhe ndriçim publik, punimet janë në fazë finale.

Projekti Financohet nga Buxheti i Komunës së Kaçanikut ,dhe nga granti i fituar nga performanca e mirë komunale i ndarë nga Helvetas dhe MAPL. /Telegrafi/

Exit mobile version