Sa herë që ka të reshura të shiut dhe borës rruga regjionale Ferizaj Prishtinë përmbytet nga uji. Së fundi të reshurat e borës dhe shiut kanë shkaktuar edhe dëme në këtë aks të rrugës. Bizneset e qytetarët janë ankuar se rruga po e vështirëson qarkullimin.
Ndërkohë MMPHI-ja muaj më parë ka nisur procedurat për shpronësimin e pronave përgjatë kësaj rruge me qëllim që traseja të zgjerohet dhe të finalizohet projekti.
Për realizimin e këtij projekti me kohë ishte bërë thirrje për shpronësimin e disa pronave përgjatë fshatrave Prelez i Jerlive, Muhoc, Talinoc i Jerlive, Talinoc i Muhaxherëve, Ferizaj dhe Fshati i Vjetër, andaj institucionet lokale dhe ato qendrore i kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me qëllim që procesi të finalizohej sa më shpejt.
Qerim Krasniqi, banor nga Ferizaj, ka thënë për telegrafin se gjendja e kësaj rruge është vështirësuar mjaftë shumë.
“Prej shumë vitesh kjo rrugë po na dëmton veturat, ndërkohë edhe gjatë ditës kemi pasur telashe me vetura shkaku i përmbytjes nga uji. Kërkojmë sa më shpejtë nga organet komunale dhe ato qendrore që ta finalizojnë këtë projekt”, është ankuar ai.
Ndërkaq, Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se rrugët magjistrale janë përgjegjësi e Qeverisë.
‘Kjo rruge tash e katër vite është duke u prolonguar, sipas informatave është nënshkruar kontrata me operatorin dhe pritet fillimi i punimeve. Dëmet e bizneseve janë të konsiderueshme si pasojë e kësaj gjendje”, ka thënë Marevci.
MMPHI-ja prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetje të Telegrafit lidhur me degradimin e kësaj rruge. Por në vendimin e kësaj ministrie qartësohet se kjo rrugë do të ndërtohet pasi që ka nisur procesi i shpronësimit.
Lidhur me këtë çështje MMPHI-ja, nëpërmjet një njoftimi ditë më parë ka treguar se ka mbajtur edhe dëgjime me qytetar me qëllim të përmbushjes së kritereve ligjore.
Sipas MMPI-së, Qeveria e Kosovës do të marrë një vendim preliminar mbi ligjshmërinë e shpronësimit të propozuar, brenda 30 ditëve pas përmbushjes së kushteve të përcaktuara në nenin 9 të ligjit nr.03/L-139 të datës 26.03.2009 për shpronësimin e pronës së paluajtshme./Telegrafi/