Prej disa muajsh është degraduar rruga Shtime-Duhël e cila lidh disa qytete të Kosovës. Por në disa lokacione gjendja është degraduar në masë të madhe dhe për këtë çështje qytetarët janë ankuar disa herë te institucionet përkatëse por pa sukses. Banorët që qarkullojnë vazhdimisht në këtë aks të rrugës, janë ankuar se po rrezikohen nga gropat dhe degradimi i rrugës.
Mehdi Salihu, banor nga Shtimja, ka thënë për Telegrafin se rruga Shtime-Duhël , pikërisht në afërsi të fshatit Belincë është degraduar në masë të madhe dhe po e vështirëson qarkullimin e automjeteve.
“Kjo rrugë lidhë Prishtinën, Lipjanin, Ferizajn, Shtimen dhe qasjen për autostradë, ka një dëmtim të theksuar të rrëshqitjes së bazës së rrugës nga pjesa e lumit. Kjo gjendje është nga fillimi i pranverës së këtij viti dhe tani po futemi në dimër. Kujt nuk i shkon në mendje si nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës e as Komunës së Shtimes që duhet të rregullohet sepse paraqet rrezik të madh për komunikacion”, ka kritikuar Salihu.
Po ashtu edhe Qerim Gashi vozitës, ka thënë për telegrafin se ky aks i rrugës po rrezikon vazhdimisht edhe këmbësorët.
“Rrugë më e rrezikuar nuk e di që ka në këtë regjion sepse askush nuk kujdeset për mirëmbajtjen e saj. Trotuare nuk ka nëpër lokalitete që kalon kjo magjistrale, pastaj në disa segmente ka rrëshqitur asfalti dhe askush nuk po kujdeset. Ne disa herë brenda javës kalojmë nëpër këtë rrugë dhe nuk ka përmirësim, se di çka po ndodh”, është ankuar ai.
Në anën tjetër Telegrafi u ka dërguar pyetje Ministrisë së Infrastrukturës, por edhe Komunës së Shtimes, mirëpo deri në momentin e raportimit nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/