Telegrafi

Rruga e Ballkanit të Ilir Dajës deri te faza e grupeve për herë të dytë në histori të klubit – të gjitha fitore në “Fadil Vokrri”

Ballkani ka kaluar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke eliminuar klubin e madh bjellorus, BATE Borisovin, me rezultat të përgjithshëm 4-2. 

Ndeshjen e parë ndaj bjellorusëve, Ballkani e kishte fituar 4-1 dhe, përkundër humbjes me rezultat 1-0 në ndeshjen kthyese, kaloi tutje në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, për herë të dytë në dy vitet e fundit.

Kampioni i Kosovës garat i nisi nga rrethi i parë eliminator i Ligës së Kampionëve ku u përball me Ludugoretsin, ku ndeshjen e parë e fitoi me rezultat 2-0.

Por, në ndeshjen kthyese Ballkani nuk arriti ta mbajë rezultatin e përballjes së parë duke u mposhtur me shifrat 4-0, për të vazhduar garat në Ligën e Konferencës.

Ballkani i Ilir Dajës në rrethin e dytë të kësaj gare u takua me kampionin e Irlandës së Veriut, Larnen, të cilin e mposhti në dy ndeshje. Fillimisht fitoi 3-0 në “Fadil Vokrri”, për të triumfuar pastaj edhe si mysafir me rezultat 4-0.

Pas tyre ishte radha e Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, ku në shtëpi fituan 2-0, ndërsa në ndeshjen kthyese 3-1.

Në play off ishte radha e BATE Borisovit, klubit të madh bjellorus, që kishte luajtur edhe në fazat e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Fitore e madhe në “Fadil Vokrri” me rezultat 4-1, që i hapi rrugën kualifikimit, i cili u sigurua këtë të enjte në Hungari edhe pas humbjes me rezultat 1-0.

Pra nga katër ndeshje të zhvilluara në Prishtinë, Ballkani mori katër fitore, duke treguar se është skuadër që di të luajë bukur në terrene të mira dhe me shumë tifozë, që asnjëherë nuk i munguan në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”, i cili i bë fortesë e pathyeshme.

Lexo po ashtu Ballkani rishkruan historinë, kalon për herë të dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

Një kualifikim i arritur me sakrifica, shumë punë dhe angazhim të madh të të gjithë stafit.

Kjo bëri që klubi përmes faqes zyrtare, pas kualifikimit, të shpërndante disa rreshta emocionues pas këtij kualifkimi.

“ Unë kampioni yt, Kosovë! Për të dytin vit radhazi, e bëmë detyrën, për çka kemi punuar pa ndalur në asnjë moment.  Si përfaqësuesit kryesorë të Republikës, luftuam pa rreshtur për shtetin dhe emblemën tonë reprezentative.  Kemi dhënë gjithçka nga vetja, që flamuri ynë shtetëror të rreshtohet aty ku e ka vendin, në mesin e më të mirëve në UEFA Conference League.  Tani jemi më të lehtësuar, por aspak të vetëmjaftuar, pasi na pret përpara një rrugë edhe më e vështirë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen, është koha jonë, koha e Ballkanit”, shkruhej në postimin e klubit kampion.

Pra, trajneri Ilir Daja për herë të dytë me radhë e dërgon Ballkanin në Ligën e Konferencës, duke u konfirmuar si ‘timonieri’ më i mirë aktualisht në Kosovë dhe jo vetëm.

Nazmi Gripshi dhe Meriton Korenica me nga tre gola, në këto faza eliminatore, u konfirmuan si liderët e Ballkanit.

Lexo po ashtu Me kalimin në fazën e grupeve, Ballkani mbush arkat e klubit me miliona euro

Albion Rrahmani, që kaloi te Rapid Bukuresht, po ashtu kontribuoi me dy gola, sikurse që bënë edhe dy ardhjet e reja në këtë verë, Almir Kryeziu dhe Bleart Tolaj dhe Qëndrim Zyba.

Po ashtu kontribut të madh dhanë edhe talentët Lindon Emërllahu i lënduar dhe shtylla e mbrojtjes Lumbardh Dellova. Nuk duhet harruar edhe impakti në lojë i veteranëve të ekipit si: Bajram Jashanica, Armend Thaqi, Edvin Kuç, Enea Koliqi dhe Lorenc Trashi.

Suksesi nuk do të arrihej edhe pa pjesën tjetër të skuadrës, që në ata minuta që luajtën dhanë më të mirën.

Ballkani qëndron i fortë edhe jashtë fushe, ku presidenti Arsim Kabashi – Cima, gjithmonë është afër skuadrës dhe i gatshëm për të ndihmuar në çdo mënyrë.

Viti i shkuar ishte vetëm fillimi, ky vit pritet të jetë edhe më i mirë për Ballkanin në garat evropiane. Ta shijojmë të gjithë së bashku! /Telegrafi/