Site icon Telegrafi

Rruga “Adem Jashari” në Prizren me rreth rrotullim të ri, punimet fillojnë të hënën

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se të hënën fillojnë punimet për ndërtimin e rreth rrotullimit të ri në rrugën “Adem Jashari”. Sipas zyrtarëve komunalë me këtë projekt synohet lehtësimi i qarkullimit të automjeteve në këtë pjesë të qytetit, pas rrënimit të ndërtesës së ish-ndërmarrjes “Liria”.

“Njoftohen qytetarët se me datë 10.03.2025 (e hënë), do të fillojnë punimet në kuadër të projektit “Ndërtimi i rreth rrotullimit në rrugën “Adem Jashari” (tek ish objekti tashmë i rrënuar i “Lirisë”)” në Bazhdarhane, në Prizren”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Për këtë arsye organet komunale i kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i largojnë automjetet e parkuara në këtë hapësirë.

“Për shkak se punimet do të zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, kërkojmë që të hënën nga ora 08:00 t’i largoni automjetet e parkuara tek ish objekti i “Lirisë”. Shpresojmë në bashkëpunim dhe mirëkuptim nga banorët dhe qytetarët”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.

Rrënimi i ndërtesës së ish-ndërmarrjes “Liria” në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit është realizuar pesë muaj më parë.

Lexo po ashtu Nis rrënimi i ndërtesës së ish-ndërmarrjes “Liria”, Komuna e Prizrenit synon zhvillimin urbanistik

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj pat theksuar se qëllimi kryesor në këtë rast është krijimi i parakushteve për zhvillimin urbanistik të qytetit.

Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj pat deklaruar se pas rrënimit të kësaj ndërtese, rruga “Adem Jashari” do të zgjerohet edhe me një korsi dhe do të funksionalizohet për qarkullim më të mirë. /Telegrafi/

Exit mobile version