Telegrafi

Rrufetë në Gujarat të Indisë vranë 24 persona – dëme të mëdha në shtëpi dhe humbje të konsiderueshme në bagëti

Një tragjedi ka goditur shtetin indian Gujarat, ku rrufetë dhe shiu i shoqëruar nga stuhitë, kanë shkaktuar vdekjen e 24 personave dhe plagosjen e 23 të tjerëve.

Incidentet kanë ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, duke shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi dhe humbje të konsiderueshme në bagëti, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Veç njerëzve, raportohet se nga reshjet e dendura të shiut dhe rrufetë, u vranë të paktën 40 kafshë.

Ndërkohë, Departamenti Meteorologjik i Indisë, ka parashikuar që reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe në disa pjesë të vendit.

Gujarat njihet për fatkeqësitë e lidhura me shiun, por ky nivel i shiut nuk pritej gjatë këtyre muajve.

Edhe në të kaluarën, shteti indian ka përjetuar incidente të ngjashme.

Madje në gusht të vitit 2020, 31 persona vdiqën si pasojë e incidenteve që lidhen me shirat e dendur dhe përmbytjet.

Përmbytjet dhe rrufetë në Indi shpesh sjellin tragjedi të mëdha, dhe shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike globale mund të intensifikojnë ngjarjet ekstreme të motit në të ardhmen. /Telegrafi/