Telegrafi

Rritja ekonomike e Rumanisë tejkalon pritjet

Ekonomia rumune u rrit me 8.2% në trimestrin e parë të vitit 2008, kërcimi më i lartë i saj që prej vitit 1990 për atë semestër, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave. PKB për trimestrin e dytë ishte 23.5 miliard euro. Në krahasim me rritjen eknomike mesatare të vendeve të BE-së e cila ishte afërsisht 2.4% për të njëjtën periudhë, sipas Eurostat.

Kjo renditet midis pesë tremujorëve më të lartë, të regjistruar nga Rumania që prej vitit 1990 sipas Ziarul Financiar. PKB regjistroi një rritje 8.3% në tremujorin e tretë të 2006.

Komisioni Kombëtar i Prognozave (CNP) llogarit se rritja ekonomike e Rumanisë do të rritet mbi pragun vjetor të 5% deri në vitin 2020, me PKB që mund të arrijë në 442.3 miliard euro. Sidoqoftë, CNP parashikon se rritja do të ulet në 6.5% në fund të këtij viti dhe do të tejkalojë 6% vetëm në vitin 2009.

Rritja ekonomike e Rumanisë mund të tejkalojë 6% në vitin 2008 nëse do të ketë rezultate të mira në bujqësi, u shpreh Mugur Isaresku, guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, duke shpjeguar se prodhimi mund të shtojë deri në 1 miliard euro, ose 1% të PKB-së. Ministri i ekonomisë Varujan Vosganian shprehu gjithashtu optimizmin, duke thënë se rritja mund të vazhdojë në trimestrin e dytë dhe të arrijë pragun e 8%.

Paga mujore mesatare do të rritet me 166% deri në vitin 2020 në 1,133 euro, krahasaur me të tanishmen prej 425 euro, sipas CNP. Papunësia do të qëndrojë në nivelin e regjistruar të vitit të kaluar në 4.1%.

Analistët parashikojnë se perspektiva e ndritur ekonomike do të ndikojë mbi forcimin e monedhës vendase dhe do të nxisi më shumë investime të huaja. Sipas një sondazhi të fundit nga Agjencia Thomson Reuters dhe austriakja Oesterreische Kontrollbank, klima e biznesit në Rumani është një nga më tërheqëset në Evropën Qendrore dhe Lindore, një rajon që do të shikojë investime të huaja që arrijnë në 100 miliard euro në vitin 2008.

Një vrojtim i Mergermarket zbuloi se ekspertët e fondeve të investimeve parashikojnë se "Evropa në zhvillim" — me Poloninë dhe Rumaninë në krye — do t’ja kalojnë Azisë, Rusisë dhe Amerikës së Jugut në thithjen e investimeve të Perëndimit.

Sipas Eurostat, Rumania u rendit e 15-ta në listën e përfitimit të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar, me 7.3 miliard euro. Sipas Agjencisë Rumune të Investimeve të Huaja, prodhuesi francez i makinave Renault ishte investitori i huaj numër një në vitin 2007 me mbi 670 milion euro.

Duke lënë mënjanë shifrat optimiste, Komisioni Evropian i ka bërë thirrje së fundmi Rumanisë për të përshpejtuar reformat strukturore dhe konsolidimin fiskal. KE paralajmëroi se defiçiti buxhetor nominal mund të arrijë 2.9% në 2008, një rritje prej 2.5% nga vitit i kaluar. /Setimes/