Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për rritje e pensioneve për kategori të ndryshme deri në 20 përqind, ku pjesë e kësaj rritje janë edhe personat me aftësi të kufizuara.
Ndërsa, kryetari i shoqatës së personave me aftësi të kufizuar “Handikos” në Gjilan, Fatmir Shurdhani, tha për Telegrafin se vendimi i qeverisë është i padrejtë, ani pse kërkojnë që të respektohet ligji.
Gjithashtu, Shurdhani thotë se kjo nuk ka nevojë për koment, sepse sipas tij, personat paraplegjik dhe tetraplegjik janë dëmtuar për 20 euro më pak.
“Nuk do koment kjo, megjithëse ne kërkojmë që të respektohet ligji, asgjë më shumë. Vendimi është i padrejtë sepse në bazë të ligjit, personat paraplegjik dhe tetraplegjik janë dëmtuar për 20 euro”, thotë ai.
Sipas Shurdhanit, nëse vendimi kalkulohet në bazë të ligjit, vetëm 20 euro shtesë për këta persona, janë të pamjaftueshme.
Ai thekson se është dashtë të shtohen edhe 20 euro më tepër, ndonëse Shurdhani shpjegon se një person me aftësi të kufizuara i merr 150 euro, derisa edhe përcjellësi i merr 150 euro.
Pra, sipas tij, në këtë rast personat me aftësi të kufizuar dëmtohen për 20 euro më pak, sepse vlera është shtuar vetëm për njërën palë.
“Nëse e kalkulojmë në bazë të ligjit i bie që personat me aftësi të kufizuara vlerësohen për 20 euro më pak. Personat me aftësi të kufizuara i marrin 150 euro, përcjelli i ka edhe 150 euro, e që i bie vlera 300 euro. 150 euro është njëra vlerë, që nënkupton se është dashtë të shtohen edhe 20 euro”, u shpreh Shurdhani.
Ai shton se kjo është diskriminuese dhe e pamjaftueshme.
“Mirëpo, sipas nesh kjo është diskriminuese, ndonëse personat me aftësi të kufizuara kanë shërbime, barna e shumë obligime të tjera Nuk janë të mjaftueshme”, përfundoi ai.
Ndërsa, nga Shoqata e të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu e konsideron se vendimi i qeverisë është i vonuar.
“Qeveria këtë vendim ka mund ta marr qysh më heret kur e ka bë edhe vendimin për paga. Megjithëse, vendimi është pak i vonuar dhe mund të ketë kahje të aspektit politik”, ka thënë Spahiu për Telegrafin.
Spahiu thotë se të verbërit në kategorinë e parë janë në nivelin e pagesës prej 50 eurove, ku sipas tij nga 250 euro, tashmë të njëjtit marrin 300 euro.
Ai shton se personat e verbër kanë obligime ekstra, derisa thekson se të njëjtit për të kryer punët e tyre, duhet të paguajnë edhe transport.
“Personat e verbër duhet të paguajnë edhe transport në rast se dëshirojnë të kryenë ndonjë nevojë personale ose familjare, mandej është edhe shkopi dhe shumë obligime të tjera”, ka thënë ai.
“Duke filluar nga ky muaj do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet: pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut – pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjik dhe tetraplegji, pensioni familjarë, pensioni invalidor i punës, dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/