Telegrafi

Rritja e numrit të aksidenteve në trafik në Suharekë veçohet si shqetësim në takimin e koordinimit lokal për siguri

Në takimin e radhës të koordinimit lokal për siguri të Komunës së Suharekës është theksuar rritja e numrit të aksidenteve në trafik gjatë javëve të fundit.

Sipas të dhënave të paraqitura gjatë këtij takimi është theksuar se brenda dy javësh janë regjistruar 21 aksidente, prej të cilave një me fatalitet.

Sipas njoftimit të Komunës së Suharekës, në takimin e koordinimit lokal për siguri, komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, kapiten Afrim Sylaj, ka bërë të ditur se situata e sigurisë është e qetë dhe stabile pavarësisht fluksit të madh të qytetarëve, raporton Telegrafi.

“Mirëpo, ai ka theksuar se është rritur numri i rasteve sidomos në trafik, i cili është shqetësues, pasi gjatë dy jave kemi pasur 21 aksidente,  prej të cilave një me fatalitet”, thuhet në njoftim.

Sipas informatave të paraqitura nga Sylaj, në dy javë e fundit janë shqiptuar 838 tiketa për kundërvajtje.

Një tjetër çështje që është veçuar nga ai ka qenë edhe përdorimi i armëve në ahengje e dasma, dhe sipas tij për dy javë konfiskuar 3 armë, përkundër faktit se Policia e Kosovës ka zhvilluar fushatën  “Festo me zemër – jo me armë”, raporton Telegrafi.

“Ai edhe kësaj radhe ka bërë apel për kujdes më të madh të qytetarëve, si dhe ka kërkuar bashkëpunim në mes të policisë dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër nënkryetarja e Komunës, Mihrije Suka  në cilësinë e kryesueses së takimit ka informuar anëtarët tjerë për aktivitetet e zhvilluara brenda dy javëve të fundit në territorin e Komunës së Suharekës.  /Telegrafi/