Site icon Telegrafi

Rritja e konsumit të energjisë vështirëson furnizimin në disa komuna, apel për kursim nga qytetarët

Ministria e Ekonomisë, KOSTT dhe KEDS kanë mbajtur një takim të përbashkët në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku është diskutuar mbi situatën e furnizimit me energji elektrike pas raportimeve të qytetarëve të disa komunave të Kosovës për ndërprerje të energjisë gjatë ditëve të fundit.

KOSTT dhe KEDS bënë të ditur se “me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MË në kohë të caktuara. Si pasojë, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin.” Për të shmangur dëme më të mëdha, operatorët janë detyruar të bëjnë “shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin.”, thuhet në njoftim.

Problemet më të mëdha janë hasur në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, ndërsa “ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it thuhet se janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve.”

Në Fushë-Kosovë, ku ka pasur gjithashtu probleme, “me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune.”

Lexo po ashtu KESCO kërkon që të kursehet energjia elektrike për shkak të mbingarkesës

Në njoftim tutje thuhet se për të zgjidhur situatën në Ferizaj, “gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT,” që do të lehtësojë ngarkesën dhe do të përmirësojë furnizimin për qytetarët e kësaj komune dhe të vendbanimeve përreth.

Po ashtu, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit në tremujorin e parë të vitit 2025, me qëllim të “zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji.”

Ministria e Ekonomisë thekson se në këtë periudhë të vitit, kur kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, është thelbësore për sigurinë e furnizimit që qytetarët të jenë të kujdesshëm.

“KOSTT dhe KEDS kërkuan nga qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12:00 dhe pasdites nga ora 18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është i domosdoshëm për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Për më tepër, qytetarët janë inkurajuar që, ku është e mundur, të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti  dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës. /Telegrafi/

Exit mobile version