Site icon Telegrafi

Rritet numri i fermerëve në Prizren që merren me bagëti

Komuna e Prizrenit këtë vit ka shënuar rritje të numrit të fermerëve që mbarështojnë bagëti të imëta dele dhe dhi.

Disa nga fermerët ende nuk i kanë marrë subvencionet dhe presin që me ato të sigurojnë edhe ushqimin për dimërimin e bagëtive në stalla. Në këtë komunë janë aktive 750 ferma, ndërsa janë të regjistruara 23 mijë copë dele e dhi.

Fermerët e komunës së Prizrenit që merren me bagëti të imta, ende po i shfrytëzojnë kullotat në këto ditë të vjeshtës së tretë. Ata thonë se viti ka qenë i mbarë, por disa prej tyre po i presin subvencionet nga qeveria për të blerë ushqimin për dimër.

Fermeri Zaim Saramati, tha se subvencionet të komunës i ka marrë, por të ministrisë ende jo.

Kurse Halil Dema i cili ka pesë vjet që ka ngelur pa punë, ka zgjedhur të jetë fermer, duke u marrë me dele dhe shpendë.

Edhe Flamur Mulleti, i ardhur nga Shqipëria, thotë se për 15 vjet radhazi merret me blegtori. Ai tha se dimri është pak e vështirë.

Drejtori i Bujqësisë në komunën e Prizrenit thotë për RTK se ka një interesim të blegtorëve që kanë filluar të mbarështojnë bagëtinë e imët.

“Në këto vite sa unë jam drejtor kemi vërejtur se ka rritje të numrit të bagëtive të imta, kjo falë edhe përkrahjes që ne si komunë i bëjmë, në komunë të Prizrenit vaksinimin e deleve e bëjmë pa pagesë dhe të gjitha shërbimet e fermerëve i kryejmë, nga 5 euro i kanë për kokë të deles apo të dhisë si mbështetje”.

Sipas drejtorit të Bujqësisë, këtë vit janë te regjistruara 750 ferma aktive me bagëti, ndërsa numri i atyre të imëtave ka shkuar në 23 mijë copë dele e dhi.

Exit mobile version