Kërkesat e palëve të ndryshme për qasje në dokumentet publike të Komunës së Prizrenit gjatë vitit të shkuar kanë shënuar rritje krahasuar me vitin 2023.
Raporti vjetor i Komunës së Prizrenit lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike tregon se në vitin 2024 janë parashtruar gjithsejtë 181 kërkesa të tilla.
Ndërkaq në vitin 2023 numri i kërkesave ka qenë 72 sosh, raporton Telegrafi.
Ligji për qasjen në dokumente publike “garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik”.
Sipas raportit të Komunës së Prizrenit nga 181 kërkesat e parashtruara, të gjitha janë aprovuar plotësisht, dhe se nuk ka pasur kërkesa të aprovuara pjesërisht apo të refuzuara.
Kërkesat për qasje në dokumente publike janë parashtruar në 91 raste nga individët, në 31 raste nga mediat, në 15 raste nga OJQ-të dhe të tjera në 44 raste.
Ndërsa në 80 raste është kërkuar qasja në dokumentet publike që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike, në 45 raste lidhur me marrëdhënien e punës, në 20 raste me dokumentet administrative, në 15 raste lidhur me ushtrimin e funksioneve publike, në 1 rast dokument ligjor apo nënligjore dhe të tjera në 20 raste, raporton Telegrafi.
Megjithatë në raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për periudhën janar-nëntor 2024 figuron se ka pasur ankesa të parashtruara për Komunën e Prizrenit në raport me lejimin e qasjes në dokumente publike.
Numri i vendimeve të raportuara nga AIP lidhur me ankesat e qytetarëve ndaj Komunës së Prizrenit janë 1 detyrues, 14 përmbyllëse dhe 1 refuzues. Kjo agjenci ka raportuar edhe për 3 vendime përmbyllëse lidhur me ankesat e OJQ-ve ndaj Komunës së Prizrenit gjatë periudhës kohore janar-nëntor 2024. /Telegrafi/