Telegrafi

Rritet interesimi i lexuesve të librave në Ferizaj

Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj ka përmbyllur edicionin e gjashtë të panairit të librit i cili pati nisur më 8 gusht. Në këtë edicion, që është mbështetur nga MKRS dhe DKRS-Ferizaj, morën pjesë rreth 28 shtëpi botuese kryesisht nga Kosova dhe Shqipëria si: Buzuku, Artini, Pema, Toena, “Fan Noli,” Dukagjini, “Faik Konica”, Botime Prizreni, Bard Books, Jeta, Sira, Prokult Press, Alfa & Omega, Botimet Dritan, Çamëria, Dëshmia, “Zahir Pajaziti”, Pena e artë, “Ramadan Musliu”, Pena, A Publishing, Frymëzimi etj. Botuesit pjesëmarrës prezantuan mijëra tituj librash nga autorë të ndryshëm, vendorë dhe të huaj, nga të gjitha zhanret e fushat e veprimtarive, duke filluar nga letërsia, historia, psikologjia, filozofia, publicistika, pastaj shumëllojshmëri të librave për fëmijë e të rinj, si dhe botime shkencore e religjioze.

Kryetarja e Klubi Letrar “De Rada” Zyrefete Shala, ka thënë për Telegrafin se për disa ditë me radhë panairin e vizituan qindra qytetarë të të gjitha moshave, fluksi i të cilëve rritej veçanërisht në orët e mbrëmjes, deri në mesnatë, kur normalizoheshin temperaturat.

Sipas saj, kohëve të fundit është rritur interesimi i të rinjve për të lexuar libra të ndryshme, andaj sipas saj kjo është dëshmuar edhe në këtë panair.

“Ky edicion i Panairit të Librit, ashtu si herëve të tjera u organizua në kuadër të Ditëve të mërgatës, aktivitet ky tradicional i komunës së Ferizajt. Qëllimi i këtij organizmi është promovimi i librit dhe i leximit, prezantimi i titujve të rinj të sapobotuar dhe ofrimi i mundësisë që qytetarët t’i gjejnë librat në një vend dhe me çmime pak më të ulëta. Botuesit mysafirë u ndanë të kënaqur me rrjedhën e organizmit dhe interesimin e qytetarëve për librin”, ka thënë Shala.

Panairin e Librit në Ferizaj, ditën e dytë e pati vizituar edhe Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Prishtinë, Dr. Carolyne Siganda, ditën e tretë kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, përfaqësues të institucioneve e organizatave lokale etj.

Klubi letrar “De Rada” në kuadër të edicionit të gjashtë të Panairit të Librit ka organizuar edhe takime poetike. Natën e parë u mbajt takimi me poeten Donika Dabishevci, me ç’rast u prezantua libri i saj më ri “E gjithkohshmja andërr”. Në tryezën e udhëhequr nga Zyrafete Shala, për librin folën krijuesit ferizajas Kemajl Aliu, Afrim Demiri, Xheladin Rexhepi dhe Arsim Hamiti, ndërsa poezi nga libri lexuan Drita Miftari dhe Xheladin Rexhepi.

Ndërsa mbrëmjen e dytë të Panairit të Librit në Ferizaj, u përurua libri “Rivali i Adamit” i poetit Lulzim Tafa.

Vlerësime për librin dhanë edhe poeti ferizajas Mustafë Xhemaili dhe profesori universitar Rrahman Paqarizi, ndërsa poezi nga libri lexuan Xheladin Rexhepi dhe Drita Miftari./Telegrafi/