Telegrafi

Rrëzohet një helikopter në Greqi, u përplas në det pranë ishullit të goditur nga një stuhi e fuqishme

Një helikopter është rrëzuar sot në brigjet veriore të ishullit grek Evia në pjesën qendrore të vendit, e deri më tani nuk dihet sesa persona gjendeshin në fluturake dhe nëse ka të mbijetuar.

E përditshmja greke Katimerini raporton se ka filluar operacioni i kërkim-shpëtimit, transmeton Telegrafi.

Raportohet se helikopteri është rrëzuar, derisa kishte shira të rrëmbyeshëm në pjesën të ishullit të goditur nga stuhia Elia.

Televizioni publik greke ERT ka raportuar se bëhet fjalë për helikopterin civile A-109, i cili rreth orës 10:13 u ngrit në ajër nga Mantudi në Evia dhe ishte nisur drejt zonës industriale Volos.

Sipas dëshmitarëve okularë, helikopteri ka bërë fluturim të çrregullt, ku më pas ka rënë në det dhe ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.

Kulla e aeroportit kishte humbur kontaktin me helikopterin rreth gjysmë ore para se të rrëzohej. /Telegrafi/