Skena shqetësuese janë parë në fund të ndeshjes ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe HNK Goricas, ku ëhstë përfshirë futbollisti shqiptar, Lirim Kastrati.
Anësori i Kosovës është rrëzuar në fushë në fund të takimit, me ç’rast ka ndërhyrë stafi mjekësor për t’i dhënë ndihmë. Më pas është deklaruar klubi i tij duke sqaruar situatën dhe gjendjen e 22-vjeçarit.
“Pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Dinamos dhe Goricas në stadiumin Maksimir, futbollisti i Dinamos, Lirim Kastrati, ka ndier plogështi, prandaj i është dhënë ndihma mjekësore, menjëherë në terren”.
“Lojtari është dërguar në zhveshtore, ku ekipi mjekësor i klubit i ka bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe ka vendosur se futbollisti ka qenë jashtëzakonisht i rraskapitur, ndërsa deri te dobësimi ka ardhur si pasojë e lodhjes së madhe dhe rënies së sheqerit”.
“Janë kontrolluar të gjithë parametrat e rëndësishëm, ndërsa Kastrati ka qenë nën mbikëqyrjen e mjekut. Gjendja shëndetësore e lojtarit të ekipit të parë është nën kontroll dhe në rregull”.
“Ftojmë mediat që t’i respektojnë standardet etike të njoftimit në situata të këtilla dhe të marrin parasysh nderin, reputacionin dhe dinjitetin e personave për të cilët raportojnë dhe fotografitë e të cilëve i publikojnë në mediat e tyre”, thuhet në njoftimin e Dinamos.
Theksojmë që ekipi i Kastratit fitoi me rezultat 1-0 përballë HNK Goricas me autogolin e mbrojtësit shqiptar, Albi Doka. /Telegrafi/