Telegrafi

Rrëzimi i aeroplanit Boeing 737 në Indi mund të ketë ndodhur për shkak të gabimit të pilotëve

Gabimi i pilotëve dhe mosrespektimi i udhëzimeve të sigurisë mund të kenë çuar në rrëzimin e një aeroplani Air India Express në gusht të vitit të kaluar, thonë hetuesit.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, avioni i pasagjerëve me 190 persona në bord u rrëzua në aeroportin Calicut në shtetin jugor të Kerala-s në Indi, duke lënë të vdekur 21 persona.

Boeing 737, i cili kishte fluturuar nga Dubai, doli nga pista në shi dhe u nda në dysh pas zbarkimit.

Fluturimi po riatdhesonte indianët e bllokuar nga kriza e coronavirusit.

Në mesin e viktimave ishin të dy pilotët, derisa 75 pasagjerë pësuan lëndime të rënda.

Avioni u rrëzua derisa u përpoq të ulej për herë të dytë. Përpjekja e parë u ndërpre nga pilotët për shkak të reshjeve të mëdha të stinës së musonit që goditën Kerala-n.

Raporti nga Byroja e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë tha se kishte disa “shkelje” të procedurave të operimit para se të zbarkohej avioni nga piloti.

Ato përfshijnë atë që mos kryerja e “informimit adekuat” për të ateruar me erërat që frynin në drejtim të udhëtimit dhe në shi dhe dukshmëri të dobët, si dhe dështimi për “të llogaritur shpejt të dhënat e sakta të uljes në kushte të motit të pafavorshëm”, kontribuan në rrëzimin. /Telegrafi/