Gjëja më e bukur në jetë është puna e bashkuar me dashuri. (Shileri)
Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com
Njeriu lind vetë, por jeton me të tjerët, kuptimin e ka brenda vetes, kuptimi i tij nuk është për të tjerët. Ti jeton për veten, në shërbim për të tjerët. Ti kudo që të jesh vetëm, nuk e ndjen veten mirë, e ndjen mungesën e rehatisë. Kërkon ndihmë në familje, në shoqëri, në punë, nëpër klube të ndryshme, të rrallë janë personat që në kohë të caktuar kërkojnë të jenë vetëm dhe ta shpalosin veten.
Të jesh vetëm është shumë vështirë, shumë e pazakontë dhe e panatyrshme, sepse kur ti je vetëm, ti nuk kërkon të transformohesh, nuk kërkon ta zbulosh veten, nuk zhytesh në mendjen tënde të pafund, që t’i aktivizosh pesë shqisat e tua.
Ti nëse ke arritur t’i aktivizosh shqisat e shpirtit, ato janë telepatia jote, ata komunikojnë me njëra-tjetrën. Sytë, komplimentet, sjellja jote të japin kuptimin e caktuar: nëse një femër e vëren në restorant në korridor duke pritur, edhe ajo të shikon me sy një herë, dy herë, ajo është e gatshme që ti ta joshësh atë.
Personat që hulumtojnë femrat, këtë e dinë shumë mirë, me shekuj e kanë ditur këtë. Sa herë që ti i jep shenjë një femre, e nëse ajo nuk të sheh, atëherë kërko një femër tjetër, kjo nuk është për ty. Sa herë që femra të përcjell të shikon ty, ti bëhesh i rëndësishëm, në këtë moment ti je i saj. Prandaj dashuria ta jep shkëlqimin e zemrës, dashuria të jep jetë dhe forcë, kjo është interesante sa ende nuk është zyrtare, nuk bëhet obligim.
Pikërisht këtu është problemi. Obligimi, familja është ngarkesë, është përgjegjësi, bëhet monoton, prandaj burrave u mërziten gratë, ndërsa grave u mërziten burrat, dhe kështu vazhdojnë të mbyllen në vetvete, ta sakrifikojnë veten për hir të traditës, për hir të fëmijëve.
Këtu është madhështia e njeriut nëse arrin të pajtohet me realitetin e vet, dhe të kërkojë rrugë që ta transformojë obligimin, ta transformojë përgjegjësinë, ankesat, problemet në dashuri. Atëherë ti je i lirë, ti je vetvetja, kjo nuk është lehtë, por është e mundshme.
Personat e tillë janë hedonistë, altruistë. Këta persona krijojnë një mekanizëm i cili nxit qëndrimet që kërkojnë sakrifica të përkohshme për të pasur shpërblim më afatgjatë, për individin, përkujdesja për njerëz të tjerë, përkujdesja për prindërit.
Të tillë janë hedonistët, gjërat që duhet të quhen me vlerë në vetvete janë kënaqësia e lumturia, të cilat nxisin kërkesën morale dhe se ata mund të parapëlqejnë ta sakrifikojnë të ardhmen e tyre në të mirë të të tjerëve e për hir të tyre, duke bërë hedonizmin të ngjashëm me egoizmin.
Dashuria e lirë kërkon që të jetë me një njeri gjithnjë më shumë, thellë e më thellë. Nëse ti mund të jesh një Don Zhuan dhe të joshësh, të shtiesh në dorë një femër tjetër për çdo ditë, ti e ndjen veten shumë të aftë, shumë pushtues. I thua vetes unë jam i pari, unë jam mbret. Por ti nëse dorëzohesh, askush nuk ti hedh sytë, asnjë grua tjetër nuk të jep rëndësi, ti je i dorëzuar. Këta persona vërehen larg, dallohen larg si gratë ashtu edhe burrat nëse janë të martuar, duken aq të molisur e të pashpresë.
Ti mund ta dallosh nga larg çiftin nëse janë të martuar. Nëse ata nuk janë të martuar, por janë në lidhje, kjo vërehet qartë, ngase në fytyrat e tyre sheh hare, sheh gëzim, sheh lumturi, ata kënaqen me njëri-tjetrin. Ti je i dalluar, ti je i suksesshëm, sepse ti nuk je njeri i zakonshëm. Ti e ndjen veten të nevojshëm për të gjithë, kjo nevojë nuk të lejon të bëhesh i vetmuar, vetmia jote është në vetveten tënde.
Të ndryshëm janë njerëzit, disa kërkojnë nëpërmjet pasurisë t’i realizojnë ëndrrat e tyre. Dikush nëpërmjet pasurisë dëshiron të bëhet i rëndësishëm, ai dëshiron të jetë dikushi, mirëpo askushi mbetet askushi. Nevoja e egos së tij është e padobishme, por edhe e dëmshme, kërkesat e egos janë të pafundme, të bëjnë të çmendesh.
Asnjëherë nuk mund të bësh të të kënaqin ëndrrat. Njerëzit, të cilët mund të jetojnë me vetveten, dhe sikur me ta të jetë gjithë bota, ata mund të kënaqen me veten, ata ndihen rehat dhe të lumtur me vetveten.
Frojdi ka një përcaktim: Polimorfizëm, fëmija i vogël kënaqet me veten, ai loz me veten e vet, ai është autoerotik, ai kur kërkon gjirin e nënës e thith edhe gishtin e vet. Fëmija është i mirë, i bukur, sepse ai nuk ndërhyn, nuk i interesojnë mendimet tuaja.
Të gjithë fëmijët janë të bukur dhe të mirë, por nga edukata fillojnë pak nga pak të bëhen si prindërit. Është shumë vështirë të gjesh një plak të bukur, është shumë vështirë të gjesh një fëmijë të shëmtuar. /Telegrafi/