Site icon Telegrafi

Rreth 900 milionë kinezë janë infektuar së paku njëherë me COVID-19

Rreth 900 milionë njerëz në Kinë janë infektuar me coronavirus që nga 11 janari, sipas një studimi të Universitetit të Pekinit.

Raporti vlerëson se 64 për qind e popullsisë ishte infektuar së paku njëherë me virusin, raporton bbc.

Në vendin e parë gjendet provinca Gansu, ku 91 për qind e njerëzve raportohet të jenë të infektuar gjersa ndiqet nga Yunnan (84%) dhe Qinghai (80%).

Një epidemiolog i lartë kinez ka paralajmëruar gjithashtu se rastet do të rriten në vendet rurale gjatë vitit të ri hënor.

Kulmi i valës së virusit në Kinë pritet të zgjasë dy deri në tre muaj, shtoi Zeng Guang, ish-kreu i Qendrës Kineze për Kontrollin e Sëmundjeve.

Kina ka ndaluar ofrimin e statistikave ditore të COVID-19 që kur braktisi strategjinë zero-Covid.

Ndryshe, provinca qendrore e Kinës Henan është e vetmja provincë që ka dhënë detaje të shkallës së infeksionit – në fillim të këtij muaji një zyrtar shëndetësor tha se gati 90 për qind e popullsisë kishte pasur COVID-19, me norma të ngjashme të vërejtura në zonat urbane dhe rurale. /Telegrafi/

Exit mobile version