Site icon Telegrafi

Rreth 160 nxënës shfaqin projektet e tyre në “Vushtrria Code Fest”

Pamje nga mbajtja e eventit "Vushttria Code Fest"

Në Vushtrri është mbajtur ngjarja “Vushtrria Code Fest” nga akademia “Innovation Academy”. Në këtë event nxënësit kanë prezantuar 50 projekte, të cilat i kanë punuar gjatë këtij viti akademik, shkruan Telegrafi.

Drejtori i “Innovation Academy”, Ensar Bajrami, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo akademi është themeluar në vitin 2019 dhe se për herë të parë këtë vit kanë vendosur që ta organizojnë “Vushtrria Code Fest”, apo siç e cilësoi ai “festival kodimi”.

“Studentët janë shumë të talentuar andaj e kemi bërë këtë që të shfaqet talenti i tyre. Kemi projekte të ndryshme, duke filluar prej lojërave, web-faqeve, aplikacioneve, pjesës së robotikës e të tjerë”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka thënë se punimet për këtë event kanë filluar në shtator të vitit të kaluar.

“Gjatë orëve mësimore, studentët vijnë dy-tre herë në javë këtu dhe realizojnë projekte të ndryshme. Secili prej grupeve ka mentorin e tyre dhe ideja është ‘learning by doing’, do të thotë çkado që mësojnë, e mësojnë duke punuar, realizuar dhe konkretizuar në projekt të veçantë”, ka thënë tutje drejtori i “Innovation Academy”.

Ai ka shtuar se sfiduese ishin zgjedhja e projekteve dhe pjesa e organizimit, por sipas tij falë ndihmës së stafit dhe nxënësve është arritur edhe kjo.

“Janë diku rreth 160 nxënës që marrin pjesë, janë 50 projekte, të ndarë në grupe nga tre-katër dhe diku rreth 20 persona staf”, ka shtuar Bajrami.

Më tej, ai ka treguar se personat që marrin pjesë në këtë event, mund të votojnë projektin që ju ka pëlqyer më së shumti.

“Votimet i kemi bërë për prindërit dhe mysafirët, ajo është rreth 40 për qind e vlerësimit përfundimtar kurse fjalën kryesore e thotë juria e përbërë prej stafit tonë”, ka theksuar Bajrami.

Tutje ai ka potencuar se meqenëse në këtë event marrin pjesë dy gjenerata: deri në moshën 12 vjeçare dhe mbi moshën 13 vjeçare, janë krijuar dy juri.

Ndërsa, drejtoresha e “Innovation Academy”, Fatbardha Dallku – Bajrami, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se qëllimi i “Vushrria Code Fest” është promovimi i nxënësve dhe puna e tyre e palodhshme.

“Kemi ftuar njerëz të ndryshëm, të sektorit të ICT-së, kryetarin e Vushtrrisë, ambasadorë e shumë të tjerë të cilët dëshirojnë të shohin se sa nxënës të talentuar ka Vushtrria”, ka thënë Dallku – Bajrami.

Ajo ka thënë se problemet e përditshme që i kemi janë munduar që t’i digjitalizojnë dhe realizojnë përmes teknologjisë.

“Kemi shumë projekte inovative që besoj se çdo biznesi do t’i ndihmonin në fushën e tyre”, ka shtuar drejtoresha e “Innovation Academy”.

I pranishëm në këtë event ishte dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Idrizi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky event është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Vërtetë ‘Innovation Academy’ tanimë ka bërë emër dhe jo vetëm në Vushtrri e Kosovë, por edhe më gjerë”, ka thënë kryetari i Komunës së Vushtrisë.

Ai ka bërë të ditur se nxënësit e kësaj shkolle do ta përfaqësojnë qytetin e Vushtrrisë në gara ndërkombëtare, në Holandë. Më tej, Idrizi ka shtuar se Komuna e Vushtrrisë është mbështetës financiare i këtyre nxënësve.

“Për mua është kënaqësi shumë e madhe meqë vij nga fusha e arsimit dhe kënaqem kur e shoh këtë punë krijuese në fushën e teknologjisë së informimit dhe komunikimit”, ka përfunduar kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi. /Telegrafi/

Exit mobile version