Site icon Telegrafi

Rrëshqitja e dheut varrosi autobusë dhe shtëpi, 11 persona të vdekur: Kaos në Filipine, mbi 100 persona të zhdukur

Një rrëshqitje dheu në Filipine që groposi autobusë dhe shtëpi në një fshat ku ndodhet një minierë ari ka lënë të vdekur 11 persona dhe ka lënë 110 të zhdukur.

Më shumë se 1166 familje që jetojnë pranë zonës së prekur nga rrëshqitjet e dheut janë evakuuar në lagje më të sigurta.

Rosa Cristina Rosete-Manuel, një zëdhënëse e Komandës Lindore të Ushtrisë Filipine, tha se shpëtimtarët ende shpresojnë të gjejnë të mbijetuar.

“Ne po përpiqemi të qëndrojmë pozitive”, tha ajo, raporton reuters.

Incidenti ndodhi të martën mbrëma kur një pjesë e malit ra në fshatin Masara, provinca Davao de Oro dhe që atëherë ekipet e ndihmës kanë qenë në vendngjarje, megjithëse rrugët e pakalueshme dhe lidhjet e dobëta të komunikimit kanë penguar përpjekjet e shpëtimit.

Musoni verilindor që përfshiu Filipinet solli shira në rajonin jugor të Mindanaos nga 28 janari deri më 2 shkurt, duke shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse dhe rrëshqitje dheu. /Telegrafi/

Exit mobile version