Telegrafi

Rrëqethëse, varka me 20 trupa të pajetë të njerëzve gjendet në Oqeanin Atlantik

Rreth një kilometër larg ishujve Grand Turk në Oqeanin Atlantik është gjetur një varkë me 20 njerëz të vdekur, përfshirë fëmijë, kanë njoftuar autoritet e ishujve Turks dhe Caicos.

Ata gjithashtu kanë bërë të ditur se hetuesit kanë hedhur poshtë mundësinë e vdekjes së dhunshme, por ende po tentojnë të konstatojnë se çfarë në fakt ka ndodhur, transmeton Telegrafi.

Siç raporton AP, identiteti dhe prejardhja e viktimave gjithashtu nuk është bërë e ditur, pasi pritet të kompletohet raporti preliminar i hetuesve.

Peshkatarët kishin vërejtur varkën e vogël dhe kishin alarmuar rojet bregdetare, që menjëherë u shfaqën në vendin e ngjarjes duke nxjerrë në breg varkën.

Komesari i policisë, Trevor Botting, ka thënë se varka siç duket ka ardhur nga rajoni jashtë Karaibeve.

E ishujt Turks dhe Caicos shpesh konsiderohen si “magnet” për haitianët e dëshpëruar, që dëshirojnë të ikin nga vendi i tyre i goditur rëndë nga varfëria. /Telegrafi/