Të shtunën ka filluar rrënimi i objekteve të vjetra tek ish-qendra tregtare, në komunën e Obiliqit.
Këto objekte tashmë janë shndërruar në gërmadha dhe të rrezikshme për banorët përreth, transmeton Telegrafi.
Sipas një njoftimi nga komuna e Obiliqit kjo hapësirë do të bëhet e gjelbër dhe me pamje të bukur për qytetarët.
Ndërsa, zëdhënësja e Komunës së Obiliqit, Festina Preniqi, për Telegrafin tregoi arsyen e rrënimit të këtyre objekteve.
“Arsyeja e rrënimit të objekteve tek ish-qendra tregtare, është se këto objekte të shndërruara tashmë në gërmadha janë të rrezikshme për banorët përreth. Gjendja në ato objekte ishte e mjerueshme dhe e pashpresë për të realizuar ndonjë investim apo renovim të mundshëm”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo shtoi se e gjithë hapësira e cila po rrënohet do të bëhet e gjelbër dhe do të ketë pamje të bukur për qytetarët e Obiliqit.
“Kjo hapësirë e rrënuar do jetë e gjelbër dhe me pamje të bukur për qytetarët”, tha ajo. /Telegrafi/