Ralf Rangnick sapo është emëruar trajner i përkohshëm i Manchester United dhe gjërat mund të mos duken mirë për Cristiano Ronaldon ose të paktën për flotën e tij të madhe të makinave.
Sipas disa raportimeve të mediave britanike, kur u ul në bankinën e Leipzigut, strategu bë i njohur për rregullat e tij strikte. Njëra prej tyre i detyroi lojtarët të vozitnin, gjatë ditëve të javës dhe për rrjedhojë edhe të shkonin në stërvitje, vetëm me makina të klubit (të sponsorëve përkatës).
Nuk dihet ende nëse këto rregulla do të diktohen prej gjermanit edhe te Manchester United, por nëse kjo ndodh, CR7 mund të tërbohet fare.
Pasioni i tij për makinat luksoze, ekskluzive dhe të personalizuara është tashmë i njohur, siç është e njohur edhe flota e makinave që mbushin garazhin e tij me vlerë të pabesueshme (me Bentleyn e sapo blerë ka shpenzuar gjithsej 17 milionë euro).
Në timonin e tyre, ylli portugez ose është fotografuar nga paparacët, ose është shfaqur vetë në rrjetet sociale. Pak a shumë rregullisht, një makinë e re bëhet pjesë e flotës së tij. Ndonjëherë ato janë dhurata (makina) për ditëlindje, të tjerat thjesht përmbushin një tekë të tij, sepse mund t’i përballojë financiarisht.
Por të kthehemi te Rangnick. Arsyeja e një imponimi të tillë bazohet te dëshira për të eliminuar çdo lloj shpërqendrimi të lojtarëve. Dhe makinat e CR7, sigurisht që janë shkak për lakmi te kolegët, por edhe shfokusim. /Telegrafi/