UEFA përmes një njoftimi sot ka konfirmuar pezullimin e ndeshjes ndërmjet Dritës dhe Linfield, e vlefshme për finalen e fazës preliminare të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
UEFA ka pezulluar ndeshjen për arsye se futbollisti i Dritës, Hamdi Namani, ka rezultuar pozitiv pas testimit për COVID-19, gjë e cila ka sjellë karantinimin e skuadrës nga autoritetet vendore, sipas ligjeve të Zvicrës.
Janë rregullat e shtetit të Zvicrës ato që pritet ta sjellin një vendim të nxehtë në tavolinën e UEFA-s.
Kjo pasi protokollet e publikuara nga UEFA për ndeshjet në pandemi nuk përputhen me ato të shtetit zviceran dhe kjo ka bërë që autoritetet helvetike ta karantinojnë klubin kampion kosovar.
Kjo e konfirmon faktin që Dritës ndeshjen në tavolinë mund t’ua humbin rregullat e shtetit të Zvicrës, por UEFA si organizator i garës, duhet të gjejë një zgjidhje adekuate që ndeshja të zhvillohet konform rregullave të saja.
Sipas rregullores së UEFA-s, ndeshja mund të luhet pas tri ditësh, por vetëm nëse testet e reja dalin negative për Dritën, ku këta të fundit arrijnë të sigurojnë një numër të mjaftueshëm të futbollistëve (13, përfshirë një portier).
Komisioni Disiplinor i UEFA-s pritet të publikojë nesër vendimin për fatin e Dritës.
Dy skuadrat tjera të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës të cilat kanë pasur futbollistë të infektuar, Atletico Madrid dhe Sevilla, do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre rregullisht pasi që ato luhen në Portugali dhe Gjermani, shtete me të cilat përputhen protokollet e UEFA-s. /Telegrafi/