Telegrafi

Rrëfimi i motrave binjake që u sulmuan nga krokodili, reptili e tërhoqi njërën në ujë – tjetra bëri të pamundurën për ta përzënë

Motrat binjake Melissa dhe Georgia Laurie, 28-vjeçe, po notonin në lagunën Maniyaltepek të Meksikës, kur para tyre u shfaq krokodili që sulmoi njërën prej tyre.

Tani për herë të parë pas kësaj ngjarje të tmerrshme, para kamerave kanë shpjeguar se çfarë në fakt kishte ndodhur, transmeton Telegrafi.

Më 6 qershor motrat turiste nga Sandherst në Berkshire, së bashku me dy mikesha shkuan për not. E krokodili prej të paktën tri metrave gjatësi, sulmoi Melissan duke e futur nën sipërfaqen e ujit, ku Georgia disa herë e goditi duke tentuar ta shpëtojë motrën.

“Është munduar ta tërheq, e godita në hundë me dy duart dhe dukej sikur po e godisja tavolinën – megjithatë arrita ta largoj”, ka thënë Georgia gjatë një interviste dhënë për ITV News.

Ndryshe, gjithçka ndodhi në një turne turistike që ishte shumë e dyshimtë, dhe që ndodhi në një hapësirë të mbushur me reptilë që udhëhiqej nga ciceroni gjerman që banorët lokalë e njohin si Richie.

“Askush nuk na ka paralajmëruar që atje ka krokodilë. Nuk kemi pirë, nuk ka pasur alkool. Thjesht donim të vizitonim këtë vend. Melissa ka notuar dhe për pak sekonda gjeti vetën në telashe. Nuk e dija saktë çfarë po ndodhë, por notova në drejtim të saj”, ka shpjeguar Georgia që ndryshe është zhytëse e kualifikuar.

“E pashë kur e sulmoi krokodili dhe e tërhiqte. Ai u largua për t’u rikthyer, ia pashë kokën. Aty ia kafshoi këmbën dhe e tërhoqi në ujë. E godita dhe aty më kafshoi edhe mua në dorë. E godita me tjetrën dorë dhe më lëshoi – kjo ka ndodhur tre herë”, ka shtuar ajo.

Melissa doli nga uji së bashku me Mose Salinaso, 16-vjeç, ndihmës i një anije turistike. Salinaso kërceu në ujë për t’i ndihmuar motrat, dhe më pas i dërgoi me urgjencë në spital për tretman.

Melissa ka pësuar lëndime në bark, kokë dhe këmbë dhe ujë në mushkëri si rezultat i qëndrimit të gjatë në ujë. Tani është në spital ku po rikuperohet.

“Ka qenë luftë për jetë a vdekje”, ka përfunduar rrëfimin Georgia, duke falënderuar mjekët meksikanë që ia shpëtuan motrën. Ndryshe shpenzimet e shërimit kapin shumën e rreth 15.000 dollarëve. /Telegrafi/