Napoli e ka nisur me fitore sezonin e ri në elitën e futbollit italian Serie A.
Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti mori tri pikë të mëdha pas triumfit në udhëtim te Verona me rezultat 2-5.
E për sezonin e ri dhe objektivat e klubit ka folur kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani që është një lider në mbrojtjen e napolitanëve.
Rrahmani fillimisht tha se Napoli duhet të ndjek titullin, por për të arritur deri aty ndeshjet duhet marrë një nga një.
“Titulli është njësoj si vitin e kaluar, duhet ti marrim ndeshjet me radhë. Shpresojmë që në fund të jemi sërish aty lart dhe të luftojmë për titullin kampion”, ka thënë Rrahmani.
Tutje qendërmbrojtësi prishtinas foli edhe me partneritetin me koreanin Kim në qendër të mbrojtjet.
“Me Kim po flasim dhe mundohemi të përmirësojmë ato që na thotë trajneri. Në Turqi bënte një tjetër stil loje, duhet të mësohet me tonin, por për momentin po merremi vesh mirë”.
“Ishte e rëndësishme të nisnim mirë sezonin, pastaj më pas bëhet më e lehtë. Duhet të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje dhe të mbyllim sezonin siç duhet”.
“Kemi analizuar dy golat e pësuar në Verona dhe e dimë që mund të bënim më mirë. Duhet të bëjmë sa më pak gabime dhe të ndihmojmë shokët”, u shpreh qendërmbrojtësi kosovar. /Telegrafi/