Telegrafi

Rrahmani e ngrit Kumbullën në qiell: Është më i fortë se De Ligt

Amir Rrahmani dhe Marash Kumbulla janë dy zbulimet e këtij edicioni në Serie A.

Dy mbrojtësit shqiptarë kanë shkëlqyer me fanellën e Veronës duke bërë që shumë skuadra të vihen pas tyre.

Megjithatë Rrahmani ka kompletuar transferimin te Napoli dhe ka mbetur si huazim deri në verë te Verona.

Në anën tjetër Kumbulla është duke u kërkuar nga shumë skuadra të mëdha evropiane.

Kapiteni i Kosovës fillimisht ka folur për transferimin te Napoli, duke thënë se për momentin mendon vetëm për Veronën.

Kumbulla dhe Rrahmani

“Në Kosovë vazhdojnë të shkruajnë se transferimi im te Napoli ka qenë më i shtrenjti në historinë e futbollit të vendit tonë. Por unë nuk e mendoj shumë, deri në qershor jam një lojtar i Veronës dhe jam krenar që vesh këtë fanellë dhe i vendosur që të mbyll sa më mirë këtë sezon”, ka thënë Rrahmani.

Tutje Rrahmani ka dhënë edhe një koment të shkurtër për bashkëkombësin e tij Marash Kumbullën.

Prishtinasi është pyetur nëse Kumbulla është më i fortë se mbrojtësi holandez i Juventusit, Matthijs De Ligt.

“Veloso është lojtari më i fortë i Veronës. Kumbulla më i fortë se De Ligt? Sigurisht që po. Ndoshta edhe më shumë”, përfundoi Rrahmani. /Telegrafi/