Përkrahur nga Fondacioni Rotary në SHBA dhe në partneritet me Distriktet dhe Klubet Rotary nga California, Uellsi, Franca, Anglia, Japonia dhe Suedia, Rotary Club Peja investon 143,202.75 dollarë në projektin “Energjia e Ripërtëritshme për Ambient më të Pastër në Spitalin e Pejës”.
Sipas njoftimit ky projekt tejet i rëndësishëm për ambient të pastër, në Spitalin e Pejës do të instaloj panelet fotovoltaike për prodhimin e energjisë së pastër elektrike dhe largoj mazutin, i cili gjerë më tani është përdorur për prodhimin e energjisë elektrike për lavanderin e spitalit.
“Rotary Club Peja ka shqyrtuar me kujdes të veçantë kërkesën e menaxhmentit të Spitalit Rajonal në Pejë për largimin e mazutit, një ndotës jashtëzakonisht i madh i ambientit dhe ka biseduar edhe me banorët përreth spitalit për të kuptuar më mirë ankesat e tyre të vazhdueshme për dëmet e shkaktuara nga djegia e mazutit dhe pasojat për shëndetin e tyre”, thuhet në njoftim.
Bordi i Rotary Club Peja ka vlerësuar se ky projekt meriton vëmendjen dhe përkrahjen tonë pasi do të sigurojë një ambient më të pastër dhe shëndet më të mirë për stafin e spitalit, pacientët dhe banorët përreth spitalit.
Rotary është organizatë e mrekullueshme dhe ne jemi pjesë e kësaj mrekullie. Andaj ky projekt kaq i rëndësishëm dhe përmasave kaq të mëdha, ka fituar edhe përkrahje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, falë përkushtimit të të gjithë Rotarianve Pejanë, në veçanti të Dr. Neshad Asllanit, Kryetarit Themelues të Rotary Club Peja, i cili gëzon besim të parezervë në Fondacionin Rotary, miqësi me Klube Rotary dhe Rotarian nga mbarë bota si dhe bashkëpunim dhe respekt të jashtëzakonshëm në Rotary International.
Mbikëqyrja e këtij projekti i është besuar Rotarianit të devotshëm Gentian Lluka, i cili njëherit edhe ka iniciuar këtë projekt të rëndësishëm.
“Lluka është në kontakt të vazhdueshëm me menaxhmentin e spitalit dhe do të përkujdeset që ky projekt Rotary të implementohet në përpikëri dhe në afat të paraparë sipas marrëveshjes me spitalin rajonal në Pejë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/