Pak ditë më parë mediat gjermane raportuan se piloti i njohur italian Valentino Rossi po mediton tërheqjen në fund të këtij sezoni, por pasditen e të enjtes ka qenë vetë ‘doktori’ që ka mohuar plotësisht këtë lajm.
Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, Rossi deklaroi se nuk po mendon aspak tërheqjen dhe për më tepër, është shumë pranë firmës me skuadrën e re të moto GP-së, Petronas, e cila do të garojë për herë të parë sezonin e ardhshëm.
“Nuk është e vërtetë që do të tërhiqem. Sezonin e ardhshëm me 99 për qind do të garoj me skuadrën Petronas dhe zyrtarizimi mund të vijë që në garën e Barcelonës”.
“Kemi marrë pak kohë për t’u menduar, por shumë shpejt do të vijë edhe firma”, u shpreh Rossi për mediat italiane, transmeton SuperSport.
Piloti 41-vjeçar italian është shtatë herë kampion bote në Moto GP, teksa ka fituar dy titujt e parë të karrierës me motorin Honda dhe pesë të tjerët me motorin Yamaha, me të cilin garon edhe aktualisht.