Site icon Telegrafi

ROSCAP vazhdoi në qytetin e Mitrovicës me peticionin “Për Shpëtimin e Arsimit”

Rrjeti Ombrellë i Shoqërisë Civile të Arsimit Parauniversitar në Kosovë (ROSCAP ) ka vazhduar sonte në Mitrovicë nismën e tij për peticionin “Për Shpëtimin e Arsimit”, me synim mbështetjen e mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Në njoftimin e tyre në Facebook, ROSCAP ka bërë thirrje për pjesëmarrje nga të gjithë qytetarët e interesuar, duke theksuar rëndësinë e zërit të çdo studenti, mësimdhënësi dhe qytetari të shqetësuar për gjendjen e arsimit në vend.

Organizata apelon për mbështetje në nënshkrimin e peticionit, duke theksuar se kjo përpjekje është thelbësore për një të ardhme më të ndritshme për fëmijët dhe komunitetet e Kosovës.

Një nga shqetësimet kryesore të ROSCAP është mungesa e zbatimit efektiv të vlerësimit të jashtëm dhe të brendshëm të mësimdhënësve në Kosovë.

Aktualisht, komuna të ndryshme përdorin instrumente të ndryshme për vlerësim, duke krijuar një mungesë të pasqyrës së saktë të performancës së mësimdhënësve.

Për të adresuar këtë çështje, ROSCAP po kërkon nga Kuvendi i Kosovës të amendojë nenin 33, duke shtuar dispozita për vlerësimin vjetor të aftësive dhe njohurive të mësimdhënësve.

Ky ndryshim synon të sigurojë që çdo mësimdhënës të ketë mbështetjen e duhur për zhvillimin profesional, i cili do të jetë i përshtatur sipas nevojave të tyre.

ROSCAP fton qytetarët që të përkrahin këtë iniciativë dhe të nënshkruajnë peticionin për të siguruar që çdo fëmijë në Kosovë të ketë qasje në një arsim cilësor./Telegrafi/

Exit mobile version