Pasi ka mbyllur festën e titullit kampion në Abu Dhabi, piloti i Mercedesit, Nico Rosberg, ka mbërritur në vendlindjen e tij, në Gjermani, ku dhe ka vijuar festën, këtë herë me bashkëkombësit e tij.
Në një intervistë të dhënë për mediat gjermane, ai ka pranuar se “bashkëjetesa” me Lewis Hamilton është e vështirë, transmeton telesport.al. Më tej, ka pranuar se piloti britanik është ndër pilotët më të mirë të Formula 1, por shton edhe se mes tyre nuk ka një miqësi të mirë.
“Do të jetë gjithnjë e vështirë bashkëjetesa mes nesh. Jemi në të njëjtën skuadër dhe në garë jemi kundër njëri-tjetrit për fitore”, ka theksuar Rosberg.
Piloti gjerman fitoi ditën e diel titullin e parë kampion në karrierën e tij, duke ndalur serinë pozitive të Hamilton.
“Lewis është një nga pilotët më të mirë të historisë, ka një standard të lartë gare. Por, mes nesh është e pamundur që të ekzistojë një marrëdhënie e mirë”.
“Kemi qenë miq të mirë kur ishim të rinj dhe pilotonim së bashku. Sot kemi vetëm respekt për njëri-tjetrin dhe kjo na ndihmon që të garojmë pa thyer rregullat. Unë nuk e di se si ndihet sot Hamilton, por di se si ndihesha unë në vitin 2014 e 2015, kur humbja Botërorin në fund. Është e vështirë të pranosh humbjen”, ka shtuar ai.