Telegrafi

Rosberg: E doja Alonson te Mercedesi, por do të kishte ‘fishekzjarrë’ me Hamilton

Nico Rosberg ka thënë se do të dëshironte që Fernando Alonso ta zinte vendin e tij në skuadrën e Mercedesit në sezonin e ri.

Piloti gjerman u shpall kampion bote i Formula 1 në vitin e kaluar, mirëpo vetëm pesë ditë pasi e fitoi titullin u pensionua. Vendin e tij te Mercedesi e ka zënë ish-piloti i Williamsit, Valtteri Bottas, ndërsa në një intervistë për Marca, ai është pyetur se kë e ka dashur si zëvendësues të tij.

Valtteri Bottas do të jetë pjesë e Mercedesit në sezonin e ri

“Të gjithë thonë se Alonso dhe unë e themi këtë, sepse do të kishte fishekzjarrë me Hamilton. Si tifoz, do të ishte gjë e bukur, por për skuadrën nuk do të funksiononte”.

Lexo po ashtu Rosberg: Më mirë të largohem si kampion

“Ata kanë mundur ta gjejnë një zgjidhje të mirë. Bottas është i shpejtë dhe megjithëse Hamilton do të jetë në nivel shumë, shumë të lartë dhe do të jetë vështirë për ta mposhtur, unë e kam dëshmuar se kjo mund të ndodhë”, është shprehur Rosberg, citon Telegrafi.

Rosberg beson se Hamilton nuk do ta kishte mirëpritur Alonson te Mercedesi

Ky do të jetë sezoni i parë në Formula 1 që nga viti 1994, ku kamponi në fuqi nuk do të jetë në pistë. (Asokohe Alain Prost u pensionua pasi e fitoi titullin me Williams).

Rosberg ka thënë se tash është shumë i lumtur që nuk duhet të garojë më me Hamilton, ndërsa ka theksuar se do të t’i ndjekë disa gara në sezonin e ri.

“Do të jem në disa gara. Dua të jem afër këtij sporti, e dua dhe tash e tutje do të jem një tifoz”, ka deklaruar Rosberg. /Telegrafi/