Telegrafi

Ronan Keating, këngëtari i kthyer në aktor

Prania e këngëtarit Ronan Keating dhe bashkëshortes së tij shtatzënë, Storm, tërhoqi dritat e prozhektorëve në premierën e filmit “Një tjetër bir nëne” në Londër, ku ish-ylli i grupit “Boyzone” shndërrohet në aktor.

Drama e kohës së Luftës së Dytë Botërore zhvillohet në Jerseyn e pushtuar nga nazistët. Jenny Seagrove interpreton Luizën, një vejushë e cila merr përsipër rrezikun dhe pranon të fshehë një ushtar të dëshpëruar rus.

Keating, i cili vjen në rolin e vëllait të saj, e ka shijuar shumë eksperiencën në këtë film, e thotë se dëshiron ta vazhdojë aktrimin.

“Jam përpjekur prej një kohe të gjatë të hyj në botën e kinematografisë. Kam pasur disa role të ndryshme, por ky është i pari interpretim i rëndësishëm i imi dhe uroj shumë që të pasohet nga të tjerë. Javën e ardhshme nisem drejt Australisë, kam xhirime për një dramë televizive. Bëhet fjalë për disa episode e pastaj do të kthehem. Kam edhe projekte të tjera”, tha Ronan Keating, këngëtar dhe aktor.

Vet aktorja veterane britanike, Seagrove e lavdëroi performancën e 40-vjeçarit, duke thënë se ai “ishte i lindur për ekranin e madh”. Në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar, filmi do të shfaqet nga data 24 mars.