Site icon Telegrafi

Ronaldo zgjidhet ‘lojtari i muajit’ në Ligën Premier dhe thyen rekordin e madh të Rooneyt

Ylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo është shpallur ‘Lojtari i Muajit’ për prill, duke fituar çmimin e dytë brenda këtij sezoni sezoni 2021/22.

37-vjeçari ka fituar çmimin si lojtari më i mirë i muajit në Ligën Premier për të gjashtën herë në karrierë, duke u bërë tani si lojtari që e ka fituar më së shumti këtë çmim nga çdo lojtar i Unitedit, pasi ka kaluar Wayne Rooney me pesë çmime.

Ronaldo ishte në formë mbresëlënëse gjatë gjithë muajit prill, duke shënuar pesë herë në vetëm katër ndeshje për Djajtë e Kuq, edhe pse ishte një kohë e vështirë për skuadrën e Ralf Rangnick që mori vetëm katër pikë nga pesë ndeshje.

Çmimi i fundit tani e çon reprezentuesin portugez drejt rekordit të Ligës Premier që mbahet me shtatë çmime ‘lojtari i muajit’ nga sulmues i Tottenham Hotspur, Harry Kane dhe ish-ylli i Manchester Cityt, Sergio Aguero.

Në muajin prill, Ronaldo shënoi golin e tij të 100-të në Ligën Premier, në humbjen 3-1 ndaj Arsenalit, ndërsa regjistroi edhe het-trikun e tij të 50-të për klube në fitoren 3-2 ndaj Norwich City.

Ronaldo shënoi golin e tij të pestë të muajit, duke barazuar rezultatin në barazimin 1-1 me Chelsean.

Sulmuesi fitoi garën e në një listë të ngushtë me tetë lojtarë që përfshinte emra si Nathan Collins, Kevin De Bruyne, Bruno Guimaraes, Gabriel Jesus, Son Heung-min, Thiago dhe Leandro Trossard. /Telegrafi/

Exit mobile version