Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë dy lojtarët më të mirë që ka parë bota e futbollit, së paku në dy dekadat e fundit.
Por karriera e dy gjenive të futbollit është në perëndim dhe tifozët e futbollit nuk do të mund t’i shohin edhe për një kohë të gjatë dy futbollistët më të mirë në planet.
Ka qenë ylli portugez i Manchester United, Cristiano Ronaldo që ka folur rreth fundit të karrierës së tij, duke zbuluar se do të mbetet aktiv edhe për katër ose pesë vite.
37-vjeçari ka thënë se shifrat dhe faktet tregojnë se është një futbollist i zoti dhe se dëshiron që ende të fitojë.
“E di që nuk më mbeten edhe shumë vite për të luajtur, katër ose ndoshta pesë deri në fund. Të shohim, sepse dua që të fitoj akoma, duhet të jesh i zgjuar dhe të kuptosh që nuk është njësoj në moshën 18 apo 25 vjeçare dhe në moshën 35-vjeçare”, deklaroi Ronaldo për Dazn.
“Kjo quhet pjekuri, eksperiencë dhe zgjuarsi për të kuptuar se humbet disa gjëra për të fituar të tjera dhe ke ekuilibrin e duhur për të vazhduar për të garuar si protagonist në nivelet më të larta”.
“Vit pas viti tregoj se numrat flasin vetë. Nuk është nevoja të thuash që jam i zoti, sepse e tregojnë shifrat. Faktet janë fakte, të tjerat jo”, u shpreh sulmuesi portugez.
Ylli i Djajve të Kuq ka deklaruar se është i kënaqur me formën aktuale që po kalon te United, teksa tregon edhe arsyet pse vendosi të rikthehet në Old Traford.
“Jam i kënaqur me formën time, po shënoj gola, ndihmoj shokët, skuadrën, si në kombëtare edhe tek Manchester United dhe prandaj dua që të vazhdoj kështu”.
“Doja ti tregoja vetes se isha akoma në gjendje të luaja në nivele të larta. Mendoj se nuk zhgënjeva: ndoshta njerëzit prisnin një tjetër Cristiano, por jo unë”.
“Jam këtu, po shënoj gola, veçanërisht në Ligën e Kampionëve, ku kam shënuar thuajse në çdo ndeshje që kam luajtur. Ndihem mirë dhe ishte një ndryshim i bukur rikthimi në shtëpi pas kaq vitesh. Ardhja nga Sportingu në Manchester më ndryshoi jetën”.
“Tani rikthehem këtu në moshën 36-vjeçare dhe ky ishte një tjetër moment shumë i bukur i jetës sime, u ktheva si baba, me shumë fëmijë, pasi kisha fituar shumë. Kam shkruar një faqe në historinë e futbollit”, u shpreh portugezi për Dazn.
Reprezentuesi portugez këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje ku ka shënuar 15 gola e ka dhuruar tre asistime për bashkëlojtarët e tij. /Telegrafi/