Superylli portugez tash do ta bartë fanellën e Los Blancos deri në vitin 2018 dhe kontrata e re ia ka plotësuar të gjitha kërkesat financiare duke e bërë atë, sipas AS, futbollistin më të paguar në histori me 21 milionë euro përfitime neto për sezon vetëm nga paga.
Vazhdimi i kontratës do të thotë se 28-vjeçari është më se i motivuar, prandaj duhet të pasojnë titujt. Florentino Perez ka shpenzuar qindra miliona euro për të ndërtuar një skuadër, e cila në radhë të parë do t’i konkurrojë Barcelonës në La Liga e Kupën e Mbretit dhe pastaj të sjellë trofeun e shumëpritur të tifozëve madrilenë ‘la Decima’ – titullin e dhjetë të Ligës së Kampionëve.
Për CR7 flasin shifrat, 203 gola në 203 paraqitje me Realin, dhe ai ishte njeriu që e nxori skuadrën nga momentet e vështira në katër vitet e kaluara dhe tash planifikon të bëhet golashënuesi më i mirë në histori të klubit (rekord që mbahet nga Raul, me 323 gola).
“Shpresoj që të shënoj edhe 200 gola të tjerë në katër vitet e ardhshme. Rekordet janë për t’u thyer, por nuk janë gjëja më e rëndësishme – më e rëndësishme është të fitohen trofe”, ka deklaruar Ronaldo.
Që kur kaloi në Santiago Bernabeu (në vitin 2009 nga Manchester Unitedi), sa u përket trofeve, ai ka fituar vetëm tri sosh: një titull të La Ligas, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.
Padyshim që nuk është faji i Ronaldos që Reali nuk i ka fituar titujt e duhur në vitet e fundit, përkundër përforcimeve të vazhdueshme. Por, tash është momenti i fundit që portugezi të marrë atë që meriton duke qenë se karriera e tij kulmore po përjeton vitet e fundit.
“Jam i sigurt se do ta fitojmë ‘La Decima’ me Cristianon”, ka deklaruar më herët Perez, ndërsa për ta bërë këtë me 28-vjeçarin në formacion, kanë mbetur edhe pesë vite (deri kur përfundon kontrata e tij, në vitin 2018). /Telegrafi/