Telegrafi

Roma tregon fuqinë ndaj Cluj, i shënon pesë gola skuadrës rumune

Roma ka shënuar fitoren e dytë në Grupin A të Ligës së Evropës, pasi ka mposhtur ekipin rumun Cluj me lehtësi 5-0.

Roma e nisi për mrekulli ndeshjen, ku vetëm pas dy minutash lojë shënuan golin e parë.

Mbrojtësi i majtë Leandro Spinazzola asistoi bukur për Henrikh Mkhitaryan i cili shënoi me kokë për 1-0.

Giallorosët shënuan golin e dytë në minutën e 24-të, kur pas rivënies nga këndi të Veretout, mbrojtësi i talentuar Roger Ibanez shënoi me kokë për 2-0.

Vetëm 10 minuta më vonë skuadra e Paulo Fonsecas gjeti edhe golin e tretë në këtë sfidë.

Bruno Peres e ktheu bukur një top te Borja Mayoral i cili shënoi golin e parë me fanellën e Romës për 3-0.

Me epërsinë e trefishtë të Romës skuadrat shkuan në pushim mes dy pjesëve.

Dominimi i Romës vazhdoi edhe në 45 minutat e dyta, por që për të parë golin e katërt u desh të pritej fundi i ndeshjes.

Sulmuesi i ardhur nga Real Madrid, Borja Mayoral shënoi me një goditje të fortë golin e dytë personal dhe të katërtin për Romën.

E krejt në fund të ndeshjes, ishte spanjolli tjetër Pedro Rodriguez që shënoi për rezultatin përfundimtar 5-0.

Kësisoj Roma pas tri ndeshjeve ka grumbulluar shtatë pikë dhe zë vendin e parë në Grupin A, ndërsa Cluj mbetet e dyta në këtë grup me katër pikë të grumbulluara.

Ndeshjen e radhës Roma do ta luaj përsëri ndaj Cluj, por kësaj radhe në Rumani. /Telegrafi/