Roma ka shënuar fitore me rezultat 4-1 ndaj Lecces në shtëpi në kuadër të javës së 15-të në elitën e futbollit italian.
Rasti i parë në këtë ndeshje i takoi Romës të cilët rrezikuan në minutën e pestë me Paulo Dybalan gjuajtja e të cilit u prit nga portieri mysafir.
Pas një iniciative të vendasve, ata më në fund gjetën golin përmes Alexis Saelemaekers i cili shënoi në minutën e 13-të për 1-0 pas asistimit të Stephan El Shaarawy.
Mysafirët shënuan pak minuta para përfundimit të pjesës së parë me Nikola Krstovic (40’) i cili u tregua i saktë nga penalltia për 1-1.
Në pjesën e dytë Roma tregoi ‘dhëmbët’ duke shënuar tre gola të tjerë për të marrë fitoren e parë nën urdhrat e Claudio Ranierit.
Për 2-1 u përkujdes Gianluca Mancini i cili shënoi në minutën e 59-të ku sërish në rolin e asistuesit ishte El Shaarawy.
‘Giallorossët’ nuk u ndalën më kaq dhe gjetën sërish golin kësaj radhe me Niccolo Pisillin i cili shënoi për 3-1 teksa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Manu Kone që shënoi për 4-1 në minutën e 86-të.
Me këtë fitore Roma ngjitet në pozitën e 11-të dhe ka 16 pikë të grumbulluara deri më tani./Telegrafi/