Telegrafi

Roma konfirmon katër raste me Covid-19 para duelit me Veronën

(Foto: Twitter/AS Roma)

Edhe pse janë vaksinuar me kohë, prapë kanë rezultuar pozitivë me coronavirus.

Roma është goditur nga infektimet e Covid-19, një ditë para ndeshjes në kampionat që Giallorosët e zhvillojnë me Veronën.

Katër futbollistë të kryeqytetasve italianë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe nuk do të jenë nën urdhrat e Jose Mourinhos për takimin e xhiros së 26-të përballë Veronës që zhvillohet në Olimpico.

Ka qenë vet faqja e klubit italian që ka konfirmuar se katër lojtarë të tyre pa ju përmendur emrat kanë rezultuar pozitivë edhe pse ishin të vaksinuar.

“Roma njofton se pas kontrolleve të kryera, katër lojtarë me simptoma, që kanë Green Pass të përforcuar, kanë rezultuar pozitiv me Covid 19. Janë njoftuar menjëherë autoritet shëndetësore”.

“Lojtarët janë në gjendje të mirë dhe janë karantinuar në shtëpitë respektive. Pjesa tjetër e skuadrës po monitorohet sipas udhëzimeve”, thuhet në njoftimin e klubit italian.

Roma do të pres Veronën të shtunën me fillim nga ora 18:00 në Olimpico, ku fitorja për ta është mëse e nevojshme.