Roma më në fund po tregon të njëjtën mendësi me trajnerin Jose Mourinho duke qenë skuadra e Serie A me më së shumti gola të shënuar në minutat shtesë.
Giallorossët siguruan një pikë ndaj Udineses të dielën falë një goli të vonshëm të Lorenzo Pellegrinit nga pika e bardhë. Ky ishte goli i gjashtë i skuadrës kryeqytetase i realizuar në minutat shtesë këtë sezon. Asnjë ekip tjetër në kampionatin italian nuk ka një statistikë të tillë.
Roma ka pasur ngritjet dhe rëniet e veta dhe vështirë të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve, pasi Juventusi ka tetë pikë më shumë. Megjithatë, në një nuancë po e tregon mentalitetin fitues që Mourinho rëndom e sjell në skuadrat që i drejton.
Strategu portugez punon shumë në mendësinë e lojtarëve të tij dhe duket se këtë qëllim e ka arritur, tash synimi do të jetë që ta bëjë skuadrën më të qëndrueshme, në mënyrë që në edicionin 2022/2023 të jetë konkurrente për top-katërshe.
Trajneri ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Giallorossët dhe ka pranuar se i është bashkuar një klubi me një plan afatgjatë për t’i bërë konkurrentë të rregullt në vitet pasuese.
Roma mbetet në garë për trofeun e Ligës së Konferencës këtë edicion, ndërsa tashmë janë pranë çerekfinales, pasi fituan në udhëtim te Vitesse në sfidën e parë të 1/8 së finales. /Telegrafi/