Telegrafi

Roma fiton në udhëtim te Udinese, ngjitet në vendin e tretë (Video)

Monchi ka besim te Roma e tij (Getty Images)

Roma ka fituar në udhëtim te Udinese me rezultat 0-2, fitore kjo e cila e ngrit në pozitën e tretë në Serie A.

Pjesa e parë i takoi në tërësi Giallorossëve, të cilët disa herë tentuan ta gjejnë golin e epërsisë, por pa pasur sukses.

Rastet më të mira në 45 minutat e parë ishin ato të Cengiz Under (6′, 24′) dhe Stephan El Shaarawy (30′), por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat dhe në pushim shkuan pa gola.

El Shaarawy pati një rast të mirë (Getty Images)

Në pjesën e dytë, fillimi ishte më i barabartë me vendasit që ishin të kënaqur me një pikë dhe tentonin të befasonin në kundërsulme.

Megjithatë, u zunë në befasi në minutën e 70-të kur talenti turk, Under, shënoi një supergol nga distanca duke kaluar Romën në epërsi 0-1.

Momenti i goditjes perfekte nga Under (Foto: AS Roma)

Deri në fund të takimit, Udinese tentoi ta barazojë rezultatin, por Roma e menaxhoi mirë epërsinë dhe në fund shënoi në shtesë edhe me anë të Diego Perottit, i cili vulosi fitoren e madhe 0-2 në udhëtim.

Pas kësaj fitore, Roma ngjitet në vend të tretë me 50 pikë, ndërsa Udinese renditet në pozitën e 10-të me 33 pikë.

Në ndeshjen e radhës, klubi nga kryeqyteti e pret në shtëpi Milanin në derbin e javës, ndërsa Udinese udhëton te Sampdoria. /Telegrafi/