Telegrafi

Roma fiton ndaj Helsinkit dhe mban gjallë shpresat për kualifikim

(Foto: Getty Images)

Roma ka marrë pikë të plota në udhëtimin e vështirë në Bolt Arena ndaj HJK Helsinki (2-1) për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim të mëtutjeshëm në Ligën e Evropës.

Pas anulimit të golit të Bryan Cristantes për shkak të pozitës jashtë loje, rezultatin e zhbllokoi Tammy Abraham (41’), pasi e priti një harkim të mirë nga Lorenzo Pellegrini.

Mesfushori shqiptar, Përparim Hetemaj, e kontrolloi mirë një pasim në zonë dhe krijoi hapësirë për ta barazuar rezultatin (54’).

(Foto: Getty Images)

Giallorossët e rikthyen epërsinë me autogolin e Arttu Hoskonen në minutën e 62-të të takimit.

Edhe HJK iu mohua një gol në vazhdim, pas realizimit të David Browne, pasi kishte ndërhyrje të palejuar gjatë ndërtimit të aksionit.

Roma ndodhet në kuotën e shtatë pikëve në Grupin C aq sa ka Ludogorets, skuadrën të cilën duhet ta mposhtë në xhiron e fundit për t’u kualifikuar. /Telegrafi/