Telegrafi

Roma fiton lehtësisht ndaj Chievos

AS Roma (Getty Images)

Roma ka fituar me rezultat të thellë 4-1 ndaj Chievos në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të Serie A.

Skuadra e Eusebio Di Francescos ka arritur edhe fitoren e tretë radhazi në Serie A, duke mos lëshuar pe nga pozita e tretë në tabelë.

Pjesa e parë e ndeshjes nisi me dominimin e vendasve, të cilët në minutën e nëntë kaluan në epërsi me anë të Patrick Schick, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Radja Nainggolan.

Schick duke festuar golin me Nainggolanin (Getty Images)

Roma vazhdoi me dominim edhe gjeti edhe golin e dytë në minutën e 12-të me Stephan El Shaarawyn, por VAR-i ia anuloi.

Megjithatë, vendasit shënuan përsëri me anë të Edin Dzekos, i cili shënoi për 2-0 në minutën e 40-të dhe dërgoi skuadrën e tij në pushim me epërsi të dyfishtë.

Në pjesën e dytë, Chievo kishte mundësi të ngushtonte epërsinë në minutën e 59-të, por Roberto Inglese dështoi nga penalltia.

Dzeko shënoi dy gola (Getty Images)

Pas këtij dështimi, Roma gjeti edhe dy gola të shpejtë, ku El Shaarawy (65′) shënoi për 3-0 dhe Dzeko (67′) për 4-0.

Deri në fund të ndeshjes, Chievo arriti të shënoj golin e nderit me anë të Ingleses, i cili në minutën e 89-të vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.

Pas kësaj fitore, Roma mbetet në pozitën e tretë me 70 pikë, ndërsa Chievo në vendin e 16-të me 31 pikë. Në ndeshjen e radhës, Roma udhëton te Cagliari, teksa Chievo e pret Crotonen. /Telegrafi/