Rodri kritikoi organet drejtuese të futbollit për numrin e ndeshjeve që lojtarët duhet të luajnë dhe u pyet nëse do të hyjnë në grevë nëse asgjë nuk ndryshon.
“Unë mendoj se jemi afër kësaj, është e lehtë për t’u kuptuar. Mendoj se është diçka e përgjithshme. Unë mendoj se nëse pyet ndonjë lojtar, ata do t’ju thonë të njëjtën gjë, nuk është mendimi vetëm i Rodrit apo diçka e tillë”, deklaroi ylli i Manchester Cityt.
“Them se është mendimi i përgjithshëm i lojtarëve. Dhe nëse vazhdon kështu, do të vijë një moment kur nuk kemi zgjidhje tjetër, besoj vërtet, por do të shohim. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por është diçka që na shqetëson sepse ne jemi ata që vuajmë”.
“Nuk kam një numër të saktë. Nga përvoja ime, mund t’ju them se 60-70 ndeshje në sezon janë shumë. Mendo se janë 40 dhe 50 është numri i ndeshjeve në të cilat një lojtar mund të performojë në nivelin më të lartë”.
“Pas kësaj ju bini (në formë) sepse është e pamundur të ruani nivelin fizik. Këtë vit mund të arrijmë 70, ndoshta 80, nuk e di. Varet se sa larg shkoni në gara. Për mendimin tim modest, unë mendoj se është shumë”, ka shtuar më tej spanjolli. /Telegrafi/