Bayern Munich ka vendosur t’i mbajë dy anësorët veteran Franck Ribery dhe Arjen Robben.
Sipas asaj që ka raportuar e përditshmja gjermane Sport Bild, marrëveshja mes palëve është arritur ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim.
Të dy futbollistët do të nënshkruajnë kontrata të reja një vjeçare me kampionët e Gjermanisë.
Robben erdhi në Munich në verën e vitit 2009 nga Real Madrid për një shumë rreth 24 milionë euro.
Në 287 ndeshje zyrtare për Bayernin, holandezi ka shënuar 138 gola dhe ka asistuar në 97 të tjerë.
Ndërkohë Franck Ribery erdhi në Bayern dy vite më herët se holandezi nga Marseille për 30 milionë euro.
35-vjeçari francez ka luajtur 382 ndeshje në të gjitha garat për Bayernin ku ka shënuar 117 gola dhe ka dhuruar 178 asistime.
Dy lojtarët kanë fituar me Bayernin të gjitha titujt e mundshëm për klube. /Telegrafi/