Site icon Telegrafi

Rizvanolli paralajmëron dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se këtë vit Kosova dhe shumë vende të botës janë në një situatë shumë të vështirë.

“Përdorimi i gazit si armë nga ana e Rusisë e bënë dimrin shumë të paparashikueshëm. Është e qartë se dimri do të jetë shumë i vështirë jo vetëm për ne, por edhe për vende shumë më të zhvilluara se ne si Zvicra, Gjermania, Britania janë duke u përgatitur për reduktime të energjisë. Masat që do të ndërmerr Komisioni Evropian ndoshta do të ndikojë edhe te ne”, deklaroi Rizvanolli në një konferencë për media.

“Dihet sigurt se në rastin tonë, edhe në rastin më të mirë të kapaciteteve gjeneruesve, dallimi mes prodhimit dhe kërkesës që duhet të importohet është deri në 50 megavat. Ne jemi duke parë të gjithë mundësitë që qytetarët dhe bizneset të reduktojnë aq sa munden shpenzimin e energjisë elektrike”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Rizvanolli ka thënë se do të merren masa shumë të forta në lidhje me vjedhjet apo keqpërdorimet tjera të energjisë.

“Ne kemi kërkuar nga KEDS që të bëjë maksimumin për të luftuar vjedhjen e energjisë bashkë me institucionet shtetërore”.

Ministrja thotë se vendet e rajonit kanë vendosur të paguajnë shumë të mëdha parash për të blerë energji elektrike.

Ajo ka thënë se KEDS dhe KESH bëjnë shkëmbime për aq sa është e mundur.

Ajo thotë se ka pasur diskutime me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Greqinë për të parë mundësitë për shkëmbime apo blerje./Telegrafi/

Exit mobile version